Në prag të zgjedhjeve, Qeveria në detyrë e Kosovës ndan bonus, ja kategoritë që përfitojnë
Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një paketë të re mbështetëse kundër inflacionit vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, duke parashikuar bonus prej 100 eurosh për disa kategori dhe rritje të shtesave për lehonat.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, prezantoi paketën “Përballje me inflacionin 2.0”, duke deklaruar se ajo ishte vonuar për shkak të mosmiratimit të buxhetit të rishikuar nga Kuvendi i shpërndarë. Sipas Kurtit, mbështetja prej 100 eurosh do të përfitohet nga pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat.
Pensionistët dhe fëmijët do të marrin pagesën duke filluar nga java e ardhshme, ndërsa për kategoritë e tjera do të hapet procedura e aplikimit. “Jemi të vetëdijshëm që në mungesë të buxhetit të rishikuar kjo pako nuk i adreson të gjitha nevojat, por lehtëson barrën për secilën familje”, deklaroi Kurti.
Kush përfiton nga bonuset
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se bonusin prej 100 eurosh do ta marrin punëtorët e sektorit privat që kanë paga më të ulëta se 1 mijë euro në muaj. Paketa parashikon gjithashtu rritje të mbështetjes për lehonat. Sipas Kurtit, nga ky muaj shtesat mujore për lehonat do të rriten nga 325.9 euro në 500 euro, në nivelin e pagës minimale që pritet të hyjë në fuqi nga korriku.
Ekzekutivi mbulon pagesën e plotë të pagës minimale për gjashtë muaj për lehonat e papuna, ndërsa për lehonat e punësuara mbështetja jepet për tre muaj, krahas pagesave të parashikuara nga Ligji i Punës. Kurti paralajmëroi edhe nisjen e programit “Superpuna për gratë”, që synon mbështetjen e grave që rikthehen në tregun e punës, përmes subvencionimit të pagës minimale për gjashtë muaj.
Vendimet në prag të zgjedhjeve
Këto masa janë miratuar vetëm 16 ditë përpara zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë. Ngjashëm me këtë paketë, edhe në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 2025, qeveria kishte shpërndarë mbështetje financiare prej 100 eurosh për pensionistët dhe studentët.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në katërmujorin e parë të vitit 2026 arriti në 7.5 për qind. Ndërkohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se ekonomia e Kosovës po përballet me ngadalësim të rritjes ekonomike dhe presion të lartë inflacionist, të nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve.
FMN vlerëson se rritja reale ekonomike e Kosovës u ngadalësua në 3.6 për qind gjatë vitit 2025, nga 4.6 për qind që ishte një vit më parë.